Tensionet e fundit në Big Brother VIP Albania kanë kaluar kufijtë e shtëpisë, pasi përplasja e ashpër mes Mirit dhe Mateos ka sjellë reagim të menjëhershëm nga familjarët e këtij të fundit.
Përmes një deklarate të publikuar në llogarinë zyrtare të Mateos në Instagram, e menaxhuar nga të afërmit e tij, ata kanë shprehur shqetësimin për situatën, duke kërkuar që ngjarja të trajtohet me seriozitet maksimal.
Familja thekson se, ndonëse e kupton natyrën e një reality show me emocione dhe debate të forta, ekzistojnë kufij që nuk duhet të kapërcehen kurrë.
Ata rikujtuan momentin më kritik të debatit, ku Miri iu drejtua Mateos me fjalët “jashtë do merremi vesh”, duke e konsideruar këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë.
Sipas tyre, ky lloj komunikimi është i papranueshëm dhe nuk duhet të normalizohet në një format që ndiqet nga një publik i gjerë.
Përmes reagimit, familjarët kërkojnë që produksioni të garantojë respektin dhe sigurinë për çdo banor, duke ndërhyrë në raste të tilla.
Ata e mbyllën deklaratën duke sqaruar se nuk synojnë të nxisin konflikte të tjera, por thjesht të kërkojnë më shumë përgjegjësi për situata kaq delikate.

