Një histori që ka zgjatur më shumë se dy dekada ka marrë një kthesë të rëndësishme, pasi dy vëllezër nga Lushnja, Artur dhe Arben Mëhilli, të shpallur në kërkim prej 25 vitesh, janë identifikuar pas një pune të gjatë hetimore.
Në vitin 2001, Gjykata e Lushnjës i dënoi në mungesë me 32 vite burg në total për vrasjen e Rezar Metajt në vitin 1999, një ngjarje që u cilësua si hakmarrje.
Sipas dosjes, konflikti kishte nisur më herët, në vitin 1997, kur viktima kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, dhe nuk ishte arrestuar, çka çoi në përshkallëzimin e ngjarjeve.
Pas krimit, dy vëllezërit u arratisën drejt Italisë, ku për vite me radhë jetuan me identitete të rreme, duke u paraqitur si Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, madje duke siguruar edhe dokumente të rregullta qëndrimi.
Zbulimi i tyre erdhi pas një informacioni nga autoritetet italiane për persona me identitet të dyshimtë që jetonin në të njëjtën zonë me familjarë të lidhur me ta.
Në mungesë të gjurmëve të gishtërinjve, hetuesit e Interpolit në Tiranë përdorën teknologjinë e njohjes së fytyrës (Facial Recognition), duke krahasuar fotografitë e vjetra me ato të dërguara nga Italia.
Nga ky proces u arrit në përfundimin se personat me identitete të reja ishin pikërisht dy vëllezërit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke i dhënë fund një arratie që kishte zgjatur 25 vite.
